Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri është një organ i dalë nga takimet e shumta të shoqatave shqiptare në Austri. Prej 28 prillit 2014 shoqatat e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Austri janë bërë me Këshill Koordinues me seli në Vjenë, i cili ka për qëllim të lehtësojë punën dhe aktivitetet ndërmjet shoqatave por edhe me shtetin austriak, si dhe të promovojë artin dhe vlerat kulturore shqiptare në Austri për të ruajtur traditën shqiptare në komunitet.
Këshilli Koordinues i shoqatave shqiptare në Austri merret me organizimin dhe koordinimin e aktivitete të kulturës, sportit, arsimit, integrimit si dhe përkujtimin dhe shënimin e datave me rëndësi të veçanta kombëtare, por edhe të ngjarjeve historike për shtetin dhe popullin austriak.
Ideatorë të këtij këshilli janë Abdullah Abdullahu dhe Januz Saliuka dhe qëllimi i tij është ngritja e nivelit të bashkëpunimit (pa e humbur autonominë) të shoqatave, subjekteve dhe shoqërisë civile me qëndrim në Austri, në sfera të ndryshme të veprimit me interes të përbashkët, bashkimin e kapaciteteve intelektuale dhe materiale me qëllim të përsosjes së realizimit të aktiviteteve me interes të përbashkët për bashkëkombasit tanë që jetojnë dhe veprojnë në Austri.
Boshtin e Këshillit e përbëjnë disa anëtarë të shoqatave shqiptare por edhe anëtarë të pavarur, me qëllim që të ruhet karakteri i paanshëm i Këshillit. Përveç kësaj, kryesinë e përbëjnë shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.